Historia e fshatit Greikoc (në tekst Grykosi / Grejkoci). Është vendbanim i tipit pjesërisht të shpërndarë.
Është vendbanim i vjetër. Këtu, gjatë lërimit të një are më 1984, u gjet një pitas i madh i periudhës romake. Pranë xhamisë deri vonë kanë qenë themelet e një kishe ilire. Gjurmët e kishës janë zhdukur.
Në popull qëndron gojëdhëna se fshati i sotëm është rithemeluar para 3–4 shekujve. Banorët kanë ardhur nga fshati Shtatinoc (tani i zhdukur), 2 km në perëndim. Sipas gojëdhënës aty paska rënë kolerë. Ata që mbetën gjallë i thanë njëri-tjetrit: ngri kockat dhe ik afër malit. Në vendin e ri uji ishte i pijshëm dhe ajri i freskët. Nga shprehja «ngri kockat» ka ardhur emri Grejkoc. Të vjetrit edhe sot e shqiptojnë Ngrikoc.
Mikrotoponimet e viseve malore janë në shqip, ndërsa ato fushore janë të përziera: Dushkaja, Hija e Druve, Hija e Gjonë, Kroni i Grave, Prroni i Keq, Skrepi i Madh, Te Lisat e Kishës, Kroi i Bardhë, Guri i Orlave, Boka e Kuqe, e tjera.
Në dokumentet e shkruara përmendet në Librin e kujtimeve të manastirit të Shën Trinës afër Mushtishtit, që mbahej prej vitit 1465. Me emrin Krajkovce është i regjistruar në një hartë austriake të vitit 1689. Me emrin Grajkofçe / Krajkofc shfaqet në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të viteve 1893, 1896 dhe 1900.
Prej vitit 1912 deri më 1958, tri familje (Lushaj dhe Neziraj) u detyruan të migrojnë në Shqipëri. Në tokat e fshatarëve u vendosën 11 familje kolone nga Mali i Zi dhe Serbia.
Në fillim të vitit 1941, ushtarët serbë i lidhën të gjithë burrat për t’i pushkatuar. Kmeti i fshatit, Zenel Isufi, kishte vetëm një djalë, edhe ai i lidhur. Kur deshën ta lironin djalin, Zeneli u tha: «O i lëshoni të gjithë, o ma vritni edhe djalin tim, se të gjithë i dua njësoj.» Në ato momente gjermanët dolën në Qafë të Duhlës. Serbët ikën. Fshatarët shpëtuan.
Para agresionit të fundit serb, në vitet 1998–99, fshati kishte rreth 300 shtëpi me rreth 3150 banorë. Gjatë agresionit u shkatërruan 187 shtëpi, shkolla, ambulanca dhe minarja e xhamisë. U vranë 18 banorë: 8 dëshmorë dhe 10 viktima. Shumica e popullatës u dëbua më 3 prill 1999 në Shqipëri.
Shtatinoci
Vendbanim i zhdukur, rreth 3 km në veriperëndim të Greikocit. Sipas gojëdhënës aty ra epidemi dhe popullata e braktisi fshatin. Deri vonë kanë qenë varrezat. Bujqit kanë gjetur tjegulla dhe një qyp që zinte 150 kg grurë. Pleqtë e fshatit e mbajnë mend familjen e fundit që erdhi nga Shtatinoci në Grejkoc.
Burimi: therandachat.de.tl/Theranda.htm, 19.04.2015